Dikur zapllugjanët, si thuhet n’legjendë,
I bënë zap lugjet vetëm me parmendë
Dhe i emërtuan shqip vendet e veta
Ashtu si frymuan që kur filloi jeta
Brijë, Lukth, Qafë, Kësulëz një mali
Emra që i ka në trup t’vet shqiptari
Mali i Kësulëzës përmbi hijeshi
Një kësulë natyre sa për llaftari
Një kësulë e bukur me një gurë n’midis
Nga vështron shqiponja si zonjë e shtëpisë
Vigjelon shqiponja dhe mendjen e vret:
” - Ç’bukuri përrallore në këtë vend të sertë
Si e ruajnë këta njerëz n’zemër dashurinë
Gjejnë skajin e botës përsëri këtu vijnë
Pas erës së bukës kudo shtegëtojnë
Sikur zogjtë e malit folenë s’e harrojnë
Malli mërgimtarin kur e përvëlon
Edhe gurit t’Kësulëzës të fala i çon
Fole krenarie e ka vetë shqiponja
Me djem si petrita, vasha si bilonja”
Dy liqene me ujë t’kthjellët
Një motiv i lashtë i këngës
Buron uji edhe derdhet
Nëpër portat e legjendës
Dy sy malesh përherë zgjuar
Si dy gota për dolli
Bukuri e llaftaruar
Dy inxhi për një stoli
Kur t’vish more djal te Guri i zi
Shkrepe një herë djal të shkretën allti.
Krisma e pushkës sa herë ushtonte
Te udhë e Gurit t’zi ardhjen lajmëronte
Ardhjen e nizamëve, esirëve t’vonuar
Pas mallit e pritjes, dasmës së harruar
Pas krismës së pushkës fillonte kënga
Pas krismës së pushkës fillonte dhe gjëma
Dy enigma zgjidhte krismë te Guri i zi
Ardhja, gjëma pritej plotë ankth në frengji
Sa shpesh kaplonte fusha e male gjëma
Nga Opoja gjer te Bjeshkët e Nemuna
Një fat i nemur, një fat i zi
Me krismë lajmërohej te Guri i zi
Si rreth sofrës nëpër rrënëza
Gjerdan fshatrat, mrekulli
Ditën tufa trëndafilash
Natën yje për stoli
Rrafshi i gjërë opojar
Një qendismë plot bukuri
Si kurorë Malet Sharr
Një stoli për llaftari
Bora n’majemalesh mbetur
Sikur plisi përmbi vetull
Këngë e valle sa një det
Plag' e rëndë kurbeti i shkretë
Tre muaj bukë dikur e sot
Tok' e ashpër opojare
Sofra shtruar gjithnjë plot
Bukë të djersës kurbetçare
Nëpër stinë ruan freskinë
Bukuritë e saj përrallore
I palon në Përkllimë
Lotët, plagët shekullore
Kroi i Lekës n’Malet Argjendarë
Ndër kroje t’argjenta-krua legjendar
I lashtë sa vetë jeta n’trojet stërgjyshore
Mërmërimë e tij një këngë arbërore
Mërmërimë e tij si një këngë trimash
Ndër lajthi, lëndinës midis trëndelinash
Mërmërimë e tij këngë e lashtë dheu
N’rrugëtime lirie pushoi Skënderbeu
Kroi i lekës -oazë e pushimit
Vendfushim i dashur i Lekë Dukagjinit
Vendpushim i dashur për të gjithë të rinjtë
Aty e kanë fillin t’gjitha dashuritë
Vendi i mallit të ri, vend lotësh e hallesh
Mërmërimë e tij thashetheme fjalësh
Sy e plagë zemre aty gjejnë sherim
Kroje lasgushiane plot ka vendi im
Fejesa n’Opojë me krismë pushke shpallet
Pastaj nis rreh defi e dridhen çemparet
Dhe harrohen brengat dhe harrohen hallet
Drejt dasmës së madhe gëzimi nuk ndalet
Gëzimi merr udhë me urimet, këngën
Për dhëndërrin trim e nuse fëllënzën
Dasma opojare me urime nis
Prej ditës së shpalljes nga i zoti shpisë
Malli rinor dallgëzohet, flakëron
Plaku rinohet, fëmija burrëron
Nis kërset tupani me forc’ e gjëmim
Sikurse tufani kur fryn me rrëmbim
Zemrat ndizen flakë, oshëtin Opoja
Plot epikë vallet nisen nga këllçoja
Leje i merr këmba në valle tabanit
Dora i zbret yjet n’sumbulla t’xhamadanit
Vajzat si pulëbardha në oborr rrjeshtuar
Këngët dhe vallet sikur s’kanë t’mbaruar
Lot i përvëluar në natën e kanës
Bjer i gurëzuar në zemrën e nënës
Nëna opojare si shqiponjë e malit
Urimet më t’mira i çon vajzës e djalit
Sofra e shtruar plot n’dasmën opojare
Pritje madhështore e zemrës bujare
Flamurtari prin një varg prej shqiponjash
Veshur me të bardha nga dor’ e artë zonjash
Hijerëndë nusja, hijerëndë dhe djali
N’oborr sikur zbresin dy shqiponja mali
Nuseve të reja për atë bukuri
Në përkrahje yjet ua kanë zili
Dasma opojare - një dasmë shqiptare
Një album i bukur me këngë e me valle
Zhvilluar dhe dizajnuar nga: Arbër Batijari